Shkruar nga elbuhari
Falënderimi i takon Allahut. Atë e falënderojmë dhe prej Tij ndihmë dhe falje kërkojmë. Kërkojmë mbrojtje nga Ai prej shpirtit dhe veprave të këqijave të vetes sonë. Atë që e udhëzon Allahu nuk ka kush që e humb,ndërsa atë që e humb Allahu nuk ka udhëzues për të. Dëshmoj dhe deklaroj se nuk ka Zot që meriton të adhurohet përveç Allahut dhe se i Dërguari i Allahut është rob dhe i Dërguar i Tij.
Pastaj:
Në disa fjalë të të parëve tanë është përcjellur se gratë e kësaj bote në Xhenet janë më të mira se hyritë e Xhenetit disa herë duke pasur parasysh ibadetin që ia kanë bërë Allahut.
Pasi që kemi parë dhe dëgjuar pyetjet e shumta nga gratë,për gjendjen e tyre në Xhenet dhe se çka Allahu ka përgaditur për to në Xhenet, dëshirojmë që të tubojmë disa tekste dhe argumente në këtë temë që të shuajmë etjen e tyre, përmes argumenteve të vërteta dhe fjalëve të selefëve tanë të parë.
Fillojmë duke u mbështetur në Allahun:
Allahu thotë në Kuran: Cilindo mashkull apo femër që kryen vepra të mira, duke qenë besimtar, Ne do ta bëjmë që të kalojë jetë të bukur dhe do ta shpërblejmë sipas veprave më të mira, që ka bërë. ( Nahl 97). Ky Xhenet është përgatitur edhe për ju gra të myslimanëve sikur që është përgatitur për burra mysliman: “në kuvendin e së vërtetës (në Xhenet), tek një Sundues i Plotfuqishëm. ( Kamer 55). Kujdes, kujdes motër e nderuar që ta humbësh këtë shans. Dije se jeta jote pas pak do të përfundojë dhe nuk mbetet për ty vetëm se jeta e përhershme. Atëherë le të jetë përhershmërija e juaj në Xhenet me lejen e Allahut. Dijeni se mehri ( dhurata) e juaj është imani dhe vepra e mirë, e jo dëshirat e kota duke lënë anash urdhërat e Allahut. Përkujtoni fjalën e të Dërguarit të Allahut: “ Nëse gruaja falë pesë kohët e namazit, agjëron muajin e Ramazanit, ruan nderin e saj dhe respekton burrin e saj, do ti thuhet asaj: hyn në Xhenet prej cilës derë të Xhenetit dëshiron”. ( Sahihul xhami’ nga Albani).
Xheneti është vend i begative dhe vend i qëndrimit të përhershëm. Kush hyn aty meriton çdo begati që është në të e cila përshtatet me shkallën në të cilën është në Xhenet. Kjo është për burra dhe për gra. Sepse gratë janë pjesë e pandashme e burrave ashtu sikur na ka treguar i Dërguari i Allahut. Allahu në Kuran ka bashkuar në shumë ajete për premtimin e Xhenetit dhe për shpërblimin e Tij si për burra ashtu edhe për gra. Prej tyre është fjala e Allahut: “Dhe Zoti iu përgjigj lutjes së tyre: “Unë nuk do t’ia humb mundin askujt nga ju që ka bërë vepra, qoftë mashkull apo femër. Ju jeni njëlloj (në shpërblim). Atyre që u shpërngulën, u dëbuan nga vatrat e tyre, u munduan në rrugën Time, luftuan dhe u vranë, Unë do t’ua mbuloj veprat e këqija dhe do t’i shpie në kopshte, nëpër të cilat rrjedhin lumenj, si shpërblim nga Allahu. Shpërblimi më i mirë është tek Allahu.” ( Ali imran 195). Ibën Kethiri në komentimin e tij rreth këtij ajeti ka thënë: “ Allahu ju drejtua këtyre duke i njoftuar se Ai nuk humb veprën tuaj, por e shpërblen çdo vepër qoftë prej burrave apo prej grave. Ndërsa fjala e Allahut Ju jeni njëlloj (në shpërblim). Nënkupton se të gjithë janë të njëjtë në shpërblim”. Shpirti i njeriut përmallohet për Xhenet pa marr para sysh a është burrë apo grua. Dëshiron kënaqësitë e tij. Xheneti dhe begatitë e tij nuk janë të veçanta vetëm për burra, por Allahu atë ( xhenetin) e ka përgatitur për të devotshmit qofshin mashkuj apo femra.
Por ky përmallim nuk duhet të jetë thjeshtë vetëm dëshirë, pa e pasuar këtë dëshirë me vepra të mira. Sikur që na ka njoftuar për një gjë te tillë Allahu: Ja, ky është Xheneti që ju është dhënë në trashëgim për atë që keni bërë. ( Zuhruf 72). U përmalluan shpirtrat e tyre me lajmet e Xhenetit dhe e vërtetuan atë me vepra të mira. Allahu thotë: Dhe kushdo që bën vepra të mira, qoftë ai mashkull ose femër, duke qenë besimtar, do të hyjë në Xhenet dhe nuk do t’i bëhet asnjë padrejtësi. ( Nisa 124). Ibën Kethiri ka thënë: “ ky ajet tregon mirësinë e Allahut, mëshirën dhe bujarinë e Tij në pranimin e veprave të mira prej robërve të Tij qoftë ata meshkuj apo femra, me kusht të imanit.
Çdo myslimani dhe myslimaneje Allahu i ka premtuar Xhenetin
Allahu në kaptinën Nahl thotë: “Cilindo mashkull apo femër që kryen vepra të mira, duke qenë besimtar, Ne do ta bëjmë që të kalojë jetë të bukur dhe do ta shpërblejmë sipas veprave më të mira, që ka bërë”. ( Nahl 97). Ky premtim është prej Allahut për atë që vepron vepra të mira. Vepër e mirë është ajo e cila buron prej Kuranit dhe sunnetit të Pejgamberit, qoftë mashkull apo femër vepruesi, duke qenë zemra e tij besimtare në Allahun dhe të Dërguarin e Tij. Po ashtu Allahu premtoi se kjo vepër e ligjësuar prej Allahut do ti bëjë njeriut jetë të lumtur në këtë botë dhe do ta shpërblej për të në botën tjetër. Jeta e lumtur përfshin format e ndryshme të qetësisë dhe rehatisë shpirtërore”.
Allahu i Madhëruar thotë: Me të vërtetë që për myslimanët dhe myslimanet, besimtarët dhe besimtaret, të bindurit ndaj Allahut dhe të bindurat ndaj Allahut, të drejtët (të sinqertët) dhe të drejtat (të sinqertat), duruesit dhe durueset, të përulurit dhe të përulurat, mirëbërësit dhe mirëbërëset, agjëruesit dhe agjërueset, ruajtësit e nderit dhe ruajtëset e nderit, përkujtuesit e Allahut vazhdimisht dhe përkujtueset, pra, për të gjithë këta Allahu ka përgatitur falje dhe shpërblim të madh. (Ahzab 35). Allahu thotë në këtë ajet se ata të cilët iu janë nënshtruar urdhrave të Allahut me respekt si dhe ato që u janë nënshtruar urdhrave të Allahut me respekt, të sinqertit dhe të sinqertat në atë që ju ka ardhur prej Allahut, ata që falen dhe ato që falen, ata që respektojnë dhe ato që respektojnë urdhërat e Allahut, besnikët dhe besniket në atë që ja kanë dhënë besën Allahut, durimtarët në bollëk dhe në vështërsi dhe durimtaret, ata që zemrat e tyre janë të frikuara dhe ato që zemrat e tyre janë të frikuara, ata që japin lëmoshë dhe ato që japin lëmoshë, agjëruesit dhe agjërueset, ata që ruajnë nderin e tyre dhe ato që ruajnë nderin e tyre, ata që e përkujtojnë Allahun me zemrat e tyre dhe ato që e përkujtojnë Allahun me zemrat gjuhët dhe gjymtyrët e tyre, për të gjithë këta Allahu ka përgatitur falje të mëkateve dhe shpërblim të madh, d. m. th shpërblim të madh në botën tjetër, e ky është Xheneti.
Abdurrahman b. Shejbe thotë e kam dëgjuar Ummu Seleme gruan e Pejgamberit duke thënë. I thash të Dërguarit të Allahut: O i Dërguari i Allahut pse ne nuk po përmendemi në Kuran ashtu sikur po përmenden burrat. Tha Ummu Seleme: nuk kaloi gjatë kur dëgjova prej Pejgamberit duke qenë në minber ju thoshte njerëzve: O ju njerëz Allahu thotë në librin e Tij: Me të vërtetë që për myslimanët dhe myslimanet, besimtarët dhe besimtaret, të bindurit ndaj Allahut dhe të bindurat ndaj Allahut, të drejtët (të sinqertët) dhe të drejtat (të sinqertat), duruesit dhe durueset, të përulurit dhe të përulurat, mirëbërësit dhe mirëbërëset, agjëruesit dhe agjërueset, ruajtësit e nderit dhe ruajtëset e nderit, përkujtuesit e Allahut vazhdimisht dhe përkujtueset, pra, për të gjithë këta Allahu ka përgatitur falje dhe shpërblim të madh. (Ahzab 35).
Pyetja që parashtruam në fillim se çka Allahu ka përgatitur në Xhenet për gratë ende vazhdon të sillet në mendjet tona:
Fillojmë duke thënë:
Nëse burri dhe gruaja kanë qenë prej banuesve të Xhenetit, Allahu edhe në Xhenet do ti bashkojë ata. Jo vetëm kaq por edhe do të ju jap edhe më shumë prej begatisë së Tij dhe me ta do të bashkohen edhe fëmijët e tyre. Nga shkallët e ulëta të Xhenetit drejt shkallëve te larta. Bartësit e Arshit të Allahut prej melekve, lutjen e bëjnë për besimtarët: “O Zoti ynë, shpjeri ata në kopshtet e Adnit, të cilat ua ke premtuar, së bashku me të devotshmit prej prindërve të tyre, bashkëshorteve të tyre dhe pasardhësve të tyre! Ti je i Plotfuqishmi dhe i Urti” ( Gafir 8). Po ashtu fjala e Allahut: “Ne do t’i bashkojmë besimtarët e vërtetë me ata pasardhës të tyre që i ndjekin në besim dhe nuk do t’u pakësojmë asgjë nga shpërblimi për veprat e tyre. Çdo njeri është peng i veprave të veta.
( Tur 21) . Ndërsa nëse njëri prej qiftit bashkëshortor është prej banorëve të zjarrit, ky ose do të jetë përgjithmonë në zjarr dhe nuk i bënë dobi pse shoku i tij është prej banorëve të Xhenetit. Sepse Allahu ka gjykuar se jobesimtarët do të jenë për gjithmonë në Xhehenem Ata do të jenë gjithmonë të mallkuar, nuk do t’u lehtësohet dënimi dhe nuk do t’u jepet afat. ( Bekare 162). “Ata do të jenë përherë nën peshën e (dënimit e të mallkimit), vuajtjet nuk do t’u lehtësohen dhe nuk do t’u jepet afat (pushim); ( Ali Imran 88). Po ashtu Allahu ka ndarë në ditën e gjykimit mes pejgambereve dhe grave të tyre nëse ato janë prej jobesimtareve. Allahu thotë në Kuran: Allahu ka dhënë si shembull për ata që nuk besojnë, gruan e Nuhut dhe gruan e Lutit. Ato ishin të martuara me dy nga robtë Tanë të ndershëm dhe i tradhtuan ata. Prandaj, ata nuk mund t’i mbrojnë aspak nga Allahu (Ditën e Gjykimit), e atyre të dyjave do t’u thuhet: “Hyni në zjarr, me ata që po hyjnë!” ( Tahrim 10). Pra ndarja për shkak të fesë në ditën e gjykimit do të jetë primare. Ibën Kethiri në lidhje me këtë ajet thotë: “ Këto dy gra ishin të martuara me dy prej pejgamberëve të Allahut. I shoqëronin natën dhe ditën. Ata i ushqenin ato, flinin me to, bënin mardhënje me to dhe ato nuk u pajtuan me pejgamberet e Allahut në besimin në Allahun dhe në shpalljen e Allahut. Por, atyre ( dy grave) nuk ju bëri dobi kjo edhe pse ato ishin dy prej grave të pejgambereve. Kjo afërsi e tyre nuk ju bëri aspak dobi para Allahut dhe për shkak të mohimit që kishin Allahu ju tha: “Hyni në zjarr, me ata që po hyjnë!”. Ka thënë hoxha i nderuar Uthejmini: “ Allahu ka përmendur gratë e burrave në Xhenet, sepse zakonisht është burri ai i cili kërkon gruan. Për këtë Allahu ka përmend në Xhenet gratë që janë të përgatitura për burra dhe ka heshtur për burrat e grave. Por, kjo nuk do të thotë se gratë nuk kanë burra në Xhenet. Por edhe ato do të kenë burrat e tyre në Xhenet”.
Gratë e Xhenetit janë të pastërta
Allahu i ka krijuar hyritë e Xhenetit të bukura në pamjen më të bukur. Në Kuran është cekur se ato janë të pastërta. Allahu thotë: Ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, gëzoji me kopshte të Xhenetit, nëpër të cilat rrjedhin lumenj. Sa herë që atyre t’u jepet si ushqim ndonjë frut i kopshteve, ata do të thonë: “Këtë e kemi ngrënë edhe përpara”. Por atyre do t’u jepen vetëm fruta të ngjashme me ato të Tokës. Në Xhenet ata do të kenë bashkëshorte të pastra dhe atje do të jetojnë përgjithmonë. ( Bekare 25). Fjala e Allahut: “Në Xhenet ata do të kenë bashkëshorte të pastra” d.m.th të pastërta nga ndyrësirat fiziologjike, të pastërta nga menstruacionet, kohën pas lehonisë dhe ndytësitë tjera të ngjashme me këto. Abdullah b. Mes’udi dhe Abdullah b. Abasi kanë thënë: “ të pastërta nuk kanë menstruacione e as nevoja fiziologjike e as mukozë, gëlbaz”. Ka thënë Ibën Abasi: “ të pastërta prej ndytësive dhe gjërave të mundimshme”. Ka thënë Katade. “ të pastërta prej mëkatit dhe të këqijave. Allahu i pastroi prej çdo nevoje fiziologjike, prej çdo ndyrësire dhe prej çdo të mete”.
Kjo është një myzhde për robërit e Allahut besimtar. Ibnul Kajjimi ka thënë: “ mendoje Madhërinë e Atij që po të përgëzon, gradën e Tij, besnikërinë e Tij. Po ashtu mendoje madhërinë e asaj me të cilën të ka dërguar ty këtë myzhde . Allahu në këtë ajet bashkoi mes myzhdesë së begative të trupit në Xhenet duke rrjedhur lumenj dhe posedimin e frutave dhe mes begatisë së shpirtit përmes grave të pastërta. Po ashtu bashkoi mes begatisë së zemrës me përhershmërinë e jetës në të, e që asnjëherë nuk do të ndërpritet.
Në Xhenet nuk ka plaka
Nëse gruaja hyn në Xhenet, Allahu asaj ia kthen rininë dhe beqarinë e saj, bazuar në fjalën e të Dërguarit të Allahut: “ Në Xhenet nuk hyjnë plakat”. Kur të hyjnë në Xhenet Allahu do ti shndërron ato në virgjëresha, në vajza të reja dhe të bukura. Kjo është begatia e Allahut ndaj robërve të Tij ku gratë e besimtarëve që kanë hyrë në Xhenet i bëri të virgjëra, të pastërta, të bukura dhe të dashura për burrat e tyre. Allahu thotë në Kuran: E njerëzit e së djathtës – sa të nderuar që janë fatlumët! Ata do të qëndrojnë në mes të lotusve pa gjemba dhe bananeve të mbushura me fruta, nën hije të gjera, pranë një uji rrjedhës, dhe mes frutave të llojllojshme, të cilat kurrë nuk sosen, as nuk janë të ndaluara, dhe në shtroje të ngritura (ku i presin hyrijet), të cilat Ne i kemi krijuar në një formë të veçantë (jo të lindura), dhe i kemi bërë ato virgjëresha, të dashura për bashkëshortët e tyre dhe moshatare me ta, për njerëzit e së djathtës. Janë shumë nga të lashtët e shumë edhe nga të mëvonshmit. ( Vakia 27-40). Fjala “të dashura” kupton se ato janë të dashura për burrat e tyre dhe ato janë të pasionuara ndaj burrave të tyre. Thotë Imam Kurtubiu: “I kemi krijuar ato me një krijim të ri, d.m.th i kemi kthyer në rininë e tyre dhe në kulmin e bukurisë së tyre”. Ka thënë Imam Taberiu: “ janë të cilat në këtë botë kanë vdekur plaka. Allahu pas kësaj i bëri që ato të jenë të reja virgjëresha”. Thotë Ibën Axhelan se e kamë dëgjuar Seid b. Xhubejr duke transmetuar nga Ibën Abasi se ka thënë për fjalën e Allahut: të cilat Ne i kemi krijuar në një formë të veçantë (jo të lindura), dhe i kemi bërë ato virgjëresha, të dashura për bashkëshortët e tyre dhe moshatare me ta, për njerëzit e së djathtës. Janë shumë nga të lashtët e shumë edhe nga të mëvonshmit. ( vakia 35-40). Ato janë prej bijve të Ademit. Gratë e juaja të kësaj bote në Xhenet Allahu i bënë të virgjëra, të paprekura dhe të dashura”. Do të jenë në moshën 33 vjeçare që është kulmi i rinisë. Nga Aisha Transmetohet se erdhi një grua e moshuar prej Ensarëve tek i Dërguari i Allahut dhe i tha: O i Dërguari i Allahut lute Allahun që të më fut në Xhenet?. I Dërguari i Allahut tha: “ në Xhenet nuk hyjnë plakat. I Dërguari i Allahut shkoi për tu falur. Pastaj u kthye tek Aishja dhe Aishja i tha: asaj gruas i erdhi shumë rëndë ajo fjalë. I Dërguari i Allahut tha: kështu është. Kur Allahu do ti fusë në Xhenet gratë, ato do ti bëjë të reja”. Në Xhenet asnjëherë nuk tretet rinia e saj, e as nuk vjetrohen rrobat e saj, nuk humb bukuria e saj, era e saj asnjëherë nuk bëhet e padurueshme. Ajo ul shikimin e saj dhe nuk shikon dikë tjetër përveç në burrin e saj.
Grat e Xhenetit do t të jenë si rubinë ( gur i çmuar,shumë i fortë dhe me ngjyrë të kuqe ) dhe korale ( margaritar).
Prej cilësive që Allahu ka krijuar në gratë e Xhennetit është se ato i ka bërë si rubinë dhe korale. Sikur që Allahu ka cilësuar në librin e Tij: “Ato do të jenë si rubinë dhe korale. Pra, cilat dhunti të Zotit tuaj po i mohoni?! ( Rrahman 58, 59). Ka thënë Haseni dhe shumica e komentatorëve : “ Ato janë në kthjelltësinë e rubinës dhe korales. Allahu i përgjasoi në kthjelltësinë e ngjyrës dhe bardhësinë e tyre sikur ato me qenë rubinë dhe korale. Për këtë tregon edhe ajo për të cilën ka thënë Abdullahu se gruaja e banorit të Xhennetit do të vesh 70 zbukurime prej mëndafshit dhe do të shihen këmbët e saj prej së largu. Kjo për shkak se ato do të jenë sikur rubinë dhe korali. Sepse rubina, ky gur i çmuar sikur ta vendosësh një tel do ta shije prej anës së prapme të gurit. Ka thënë Imam Taberiu: “ këto gra të Xhenetit të cilat i ulin shikimet e tyre të cilat janë në këto dy Xhenete janë sikur gurët e çmuar që janë të tejdukshëm dhe shihet teli që është në to ashtu shihen edhe damarët e këmbëve prej mbrapa dhe janë të bukura sikur rubini dhe korali. Abdullah b. Mes’udi ka thënë: “ Gruas së Xhenetit i shihet të bardhët e këmbëve të saj nën 70 zbukurime gjersa shihen edhe damarët e këmbëve të saj, sepse Allahu ka thënë: Ato do të jenë si rubinë dhe korale. Pra, cilat dhunti të Zotit tuaj po i mohoni?! ( Rrahman 58, 59). Po ashtu është transmetuar nga Ummu Seleme, gruaja e Pejgamberit e cila thotë: I thash o i Dërguar i Allahut më njofto për fjalën e Allahut: Për ata ka edhe hyrie symëdha, tha: hyrie symadhe skajet e syve të tyre janë ngjyrë eshke sikur flatrat e shqiponjës. I thash: më trego për fjalën e Allahut: Ato do të jenë si rubinë dhe korale? Tha: kthjelltësia e tyre është sikur kthjelltësia e margaritarit i cili është në lëvozhgën e tij që ende nuk e ka prek dorë e njeriut. I thash: M njofto për fjalën e Allahut: Në to do të ketë bukuroshe virtytesh të mrekullueshme. Tha: me moral të mirë dhe me fytyra të bukura. I thash: më njofto për fjalën e Allahut: sikur të ishin vezë të ruajtura mirë? ( Saffat 49). Tha: janë të buta sikur që është e butë lëkura e me të cilën është e mbështjellur të bardhit e vezës, pas së cilës vie lëvorja e jashtme. I Thash: Më njofto për fjalën e Allahut: të dashura për bashkëshortët e tyre dhe moshatare me ta? ( Vakia 37). Janë ato gra të kësaj bote prej banoreve të Xhenetit të cilat kanë vdekur plaka. Allahu tek ato bënë krijim të ri, i bënë të virgjëra, të pasionuara dhe të dashura për burrat e tyre, në një moshë të njëjtë. I thash: O i Dërguari i Allahut: A më të bukura janë gratë e kësaj bote ( që do të hynë në Xhenet), apo hyritë e Xhenetit? Tha: dallimi mes grave të kësaj bote dhe grave të Xhenetit është sikur dallim mes anës së jashtme dhe asaj të brendshme. I thash: O i Dërguari i Allahut si kanë mundësi ta arrijnë një gjë të tillë gratë e kësaj bote? Tha: Me namazin e tyre dhe me agjërimin e tyre. Allahu do ti vesh fytyrat e tyre me një dritë, trupat e tyre me mëndafsh dhe ngjyra të ndryshme. Rrobat e tyre të ngjyrosura dhe të stolisura. Krehri i tyre do të jetë prej arit. Thonë: ne jemi të përjetshmet që nuk do të vdesim asnjëherë. Ne jemi të begatshmet që asnjëherë nuk dëshpërohemi. Ne jemi vendaset që asnjëherë nuk largohemi. Ne jemi të kënaqura që asnjëherë nuk hidhërohemi. Myzhde për atë njeri që është për të dhe për atë grua që është për atë njeri. I thash: një grua prej nesh martohet dy herë, tri herë, katër herë në këtë botë, pastaj vdes dhe hynë në Xhenet dhe me të hynë edhe burrat me të cilët ka qenë i martuar atëherë cili do të jetë burri i saj? Tha: O Ummu Seleme: asaj i jepet mundësia të zgjedh dhe e zgjedh atë që është më i miri dhe i thotë Allahut. O Zoti im ky njeri ka qenë më miri në dynja më marto me të. O Ummu Seleme bukuria është mirësi e kësaj bote dhe e botës tjetër”1
Gruaja e Xhennetit sikur të dilte në këtë botë do ta shëndriste çdo gjë
Për shkak të bukurisë që kanë banoret e Xhenetit, dhe hijeshinë në të cilën i ka krijuar Allahu, sikur njëra prej tyre do të zbriste në tokë do ta shëndriste çka ka mes qiellit dhe tokës, drita e saj do të jetë sikur drita e diellit. Nga Enes b. Malik transmetohet se i Dërguari i Allahut ka thënë: “ shkuarja në luftë në rrugën e Allahut dhe kthimi prej saj është më e mirë se kjo botë dhe çka ka në të. Vendi sa harku i shigjetës së ndonjërit prej jush në Xhenet, apo sa vendoset këmba në Xhenet është më e mirë se kjo botë dhe çka ka në të. Sikur një grua prej grave të Xhenetit të dilte në këtë botë do të shëndriste çka ka mes qiellit dhe tokës dhe do të mbushte çka ka mes qiellit dhe tokës me erë të këndshme. Vetëm mbulesa e saj mbi kokën e saj është më e mirë se kjo botë dhe çka ka në të”. Ibën Ebu Dynja transmeton nga Sali Merij e ai nga Zejd Rrekashi i cili thotë: “ Më ka arritur mua se një dritë është paraqitur në Xhenet. Nuk ka ndonjë pjesë të Xhenetit përveç se e ka përshkuar kjo dritë. I është thënë: çka është kjo? Ka thënë: një hyri e cila qeshi para burrit të saj. Një burrë ishte në mexhlisin ton dhe filloi të qajë dhe të bërtas nga përmallimi i kësaj. Vazhdoi kështu gjersa ra i vdekur në tokë.
Grat e Xhenetit sa herë që kanë mardhënje me burrat e tyre, bëhen prapë virgjëresha
Allahu i Madhëruar ka thënë në Kuran: “ Sigurisht që atë ditë banorët e Xhenetit nuk do të mendojnë për gjë tjetër, veç lumturisë së tyre” ( Jasin 55). Nga Ebu Hurejre transmetohet se i është thënë të Dërguarit të Allahut: “ A do të kemi mardhënje intime në Xhenet? Tha: Po, pasha Atë në dorën e të Cilit është shpirti im. Mardhënje, mardhënje, e kur të përfundojnë gruaja kthehet prapë e pastër dhe virgjëreshë”.
Shënon Taberaniu nga Ebu Seid El-Huderij se i Dërguari i Allahut ka thënë: “ Banorët e Xhenetit kur të kenë mardhënje me gratë e tyre, ato do të bëhen prapë të virgjëra.”. Ka thënë Mennavi: “ çdo herë ajo do të kthehet në gjendjen e virgjër, pa qenë kjo e mundimshme për gruan dhe pa lodhje. Sepse në Xhenet nuk ka lodhje, nuk ka mundim. Sipas kësaj vërehet se nuk është për qëllim vetëm organi i saj që kthehet në gjendjen sikur kur ka qenë virgjëreshë, sepse kjo nuk është një gjë e madhe. Por, gruas se Xhennetit pas çdo mardhënje i kthehen të gjitha cilësitë me të cilat cilësohet një nuse virgjëreshë. Duke u nisur nga beqaria e saj, turpi i saj, misku i saj. Janë më të buta, më të ëmbla në gojën e tyre, më te nxehta. Ajo luan me ty, ti luan me të, ajo të përqafon, ti e përqafon, ajo të shtrëngon ti e shtrëngon dhe cilësi tjera të cilat i posedon një vajzë beqare. Andaj, kthimi i saj në gjendje të virgjër nënkupton kthimin e të gjitha cilësive të cilat i posedon vajza beqare. Sepse sikur të ishte vetëm kthimi i organit të saj, nuk do të kishte ndonjë efekt të madh”.
Ka thënë Ibën Abasi: “ njeriu prej banorëve të Xhenetit përqafon hyritë 70 vite. Ai nuk lodhet nga kjo e as ajo nuk lodhet nga ai. Çdo herë që dëshiron të ketë mardhënje me të e gjen virgjëreshë dhe çdo herë që largohet nga ajo dëshiron prapë te ketë mardhënje me të. Fuçia e mardhënjeve intime do të jetë sa fuqia e 70 burrave. Nuk ka mes tyre spermë. Bënë mardhënje me të pa ejakuluar ai e as ajo”.
Gratë e Xhenetit janë të bukura dhe me moral të mirë
Allahu thotë në Kuran: “Në to do të ketë bukuroshe virtytesh të mrekullueshme”.( Rrahman 70). Ka thënë Ibën Kethiri: “ me fjalën bukuroshe është për qëllim bukuria e tyre në Xhenet. Ka thënë Katade: “ Është thënë se bukuroshe ka për qëllim gruan e bukur, të moralshme dhe me fytyrë të bukur”. Nga Mesruku nga Abdullah b. Mes’ud transmetohet se ka thënë: “ Çdo mysliman e ka një bukuroshe. Çdo bukuroshe e ka tendën e vet. Çdo tenë ka nga katër dyer. Tek ai për çdo ditë hynë dhurata, begati që nuk kanë qenë me herët”.
Begatia më e madhe e banorëve dhe e banoreve të Xhenetit është shikimi në Zotin e tyre të Madhëruar
Allahu thotë në Kuran: “Atë ditë, disa fytyra do të shkëlqejnë dhe Zotin e tyre do të shohin” ( Kijame 22-23). Ebu Hurejre transmeton se disa njerëz i thanë të Dërguarit të Allahut: “ O i Dërguari i Allahut, a do ta shohim ne Zotin ton në ditën e gjykimit? I Dërguari i Allahut tha: “ a keni dyshim në pamjen e hënës natën e Bedrit ( natën kur hëna është e plotë)? I thanë: Jo o i Dërguari i Allahut. I Dërguari i Allahut ju tha: A keni mjegulli në pamjen e diellit kur nuk ka re? I thanë: jo. Tha Kështu do ta shihni Zotin tuaj në ditën e gjykimit…”. Suhejbi transmeton nga i Dërguari i Allahut i cili ka thënë: “ kur të hyjnë banorët e Xhenetit në Xhenet, Allahu do tu thotë: A dëshironi diçka më shumë se kjo? Banorët e Xhenetit do ti thonë: A nuk na i zbukurove fytyrat tona? A nuk na fute në Xhenet dhe na shpëtove nga Xhehenemi. Tha: Atëherë Allahu zbulon perden e Tij dhe nuk iu është dhënë banorëve të Xhennetit diçka më të mirë se sa shikimi në Zotin e tyre. Pastaj i Dërguari i Allahut lexoi fjalën e Allahut: “Ata që bëjnë vepra të mira, do të kenë shpërblim të mirë, madje edhe më tepër! ( Junus 26). Nga Ebu Bekr b. Kajs, nga babai i tij transmeton se i Dërguari i Allahut ka thënë: “ Dy Xhhenete, enët dhe çka ka në të janë prej argjendit. Dhe dy Xhenete, enët dhe çka ka në të janë prej arit dhe mes njerëzve dhe mes shikimit në Zotin e tyre nuk do të ketë përveç mbulesa e Lartë Madhërisë së Tij mbi fytyrën e Tij në Xhenetin Adn” ( Buhariu). Nga Ebu Musa transmetohet se i Dërguari i Allahut ka thënë: “ në Xhenet ka tenda prej margaritarit, gjerësia e të cilës do të jetë 60 mil. Në çdo anë do të ketë banor por nuk i shohin të tjerët. Besimtari sillet rreth tyre. Dy Xhenete, enët e tyre dhe çka ka në to do të jenë prej argjendit. Mes njerëzve dhe mes shikimit në Zotin e tyre nuk do të ketë përveç mbulesa e Lart Madhërisë mbi fytyrën e Tij në Xhenetin Adn”.
Nga Ebu Seid Huderij transmeton se i Dërguari i Allahut ka thënë: “ Allahu do tu thotë banorëve të Xhenetit. O banorë të Xhenetit. Ata thonë: Të përgjigjem ty o Zot dhe të respektojmë. E tërë e mira është prej Teje. Thotë: A jeni të kënaqur? Thonë: E si mos të kënaqem o Zoti ynë kur ti na dhurove atë që nuk i ke dhuruar askujt prej krijesave Tua. Zoti ju thot: A dëshironi të ju jap diçka edhe më të mirë se kjo? Thonë: A ka diçka më të mirë se kjo? Ju thot: Të ju përshkoj kënaqësia Ime dhe asnjëherë nuk do të hidhërohem me ju”.
Ka thënë Ibnu Haxheri: “ Allahu bënë shenjë në fjalën e Tij: “ dhe kënaqësia e Allahut është shpërblimi më i madh”. Sepse kënaqësia është kulmi i çdo fitore dhe çdo lumturie. Çdoherë kur njeriu e di se Zotëria i tij është i kënaqur kjo më shumë e gëzon atë dhe është me e dashur për zemrën e tij se çdo begati tjetër. Sepse kjo kënaqësi mbjell respektimin dhe madhërimin.
Ka thënë dijetari i mirënjohur Ibën Tejmije: “ Dije se është një argumentim i dytë, e që është argumentimi i përgjithshëm kuptimor. E që ky është argument më i fortë se argumenti shprehjeve. Për këtë fjala e Allahut: “Askush nuk di se çfarë gëzimesh janë fshehur për ata (në jetën tjetër), si shpërblim për punët e mira që kanë bërë” fjala “ kurretun” në këtë ajet është komentuar me shikim dhe me komente tjera. Kjo nënkupton se shikimi është si shpërblim për veprat e tyre. Gratë dhe burrat do të jenë të përbashkët në shpërblimin të cilin e kanë merituar. Andaj shikimi nuk kufizohet vetëm në pejgamber apo në ata që kanë udhëhequr. Por, në këtë hynë edhe ata burra të cilët nuk i kanë arritur këto gjëra. Ky ajet tregon për obligimet që robërit e Allahut i kanë kryer si namazi, zekati dhe në këto obligime hyjnë burrat dhe gratë. Po ashtu fjala e Allahut: Me të vërtetë, punë drejtët do të gjenden në Xhenet, duke shikuar nga divanet. ( Mutaffifin 22-23) tregon se mirësia është shkak që të arrin njerëzit këtë shpërblim, ndërsa mirësia mundë të jetë prej burrave dhe prej grave. Për këtë, dijetarët janë argumentuar për shikimin në Allahun në ditën e gjykimit edhe me ajetet të cilat flasin se jobesimtarët nuk do ta shohin Allahun në ditën e gjykimit dhe ky do të jetë dënimi i mjaftuar për ta. Andaj për derisa ata nuk e shohin, atëherë ky është një argument se besimtarët do ta shohin Allahun. Është e qartë se besimtaret u ndanë dhe janë distancuar nga jobesimtarët dhe nga hidhërimi dhe mos parja e Allahut dhe janë bashkuar me besimtarët në atë që e kanë merituar nga kënaqësia e Allahut”. Begatia më e madhe për besimtarët do të jetë shikimi në Allahun. Ndërsa jobesimtarët do të ndalohen nga kjo. Nuk do ta shohin Allahun dhe ky do të jetë dënimi më i madh. Allahu ka thënë për jo besimtarët: “Nuk është ashtu! Në të vërtetë, atë ditë një vel do t’i pengojë ata që të shohin Zotin e tyre” ( Mutaffifin 15). Ka thënë Ibën Tejmije: “ përmes këtij ajeti është bërë e ditur se jo besimtarët do ta kanë të ndaluar përgjithmonë shikimin në Allahun, për dallim nga besimtari. Kur ky ajet tregon se në ditën e gjykimit ata nuk do ta shohin Allahun atëherë kjo nënkupton se në Xhehenem edhe më shumë do të jenë të ndaluar në këtë. Allahu ka thënë në Kuran: “Ai, që në këtë botë ka qenë i verbër, do të jetë i verbër edhe në botën tjetër dhe më i humbur nga rruga e drejtë” ( Isra 72). Po ashtu Allahu ka thënë: “në Ditën e Kiametit, do ta ringjallim të verbër” ( Ta ha 124). Pra, cilësimi i tyre me verbërim mohon shikimin.
Grat në Xhenet do të jenë më shumë se burrat, po kështu edhe në zjarr
Në dy koleksionet të Imam Buhariut dhe Imam Muslimit nga hadithi i Ejub b. Muhamed b. Sirin i cili tha: A nuk po mburreni. A nuk po përkujtoni se në Xhenet a do të jenë burrat më shumë apo gratë? Atëherë Ebu Hurejre tha: A nuk ka thënë Ebu Kasimi ( Pejgamberi) se grupi i parë që do të hyj në Xhenet do të jenë në pamjen e hënës natën e katërmbëdhjetë. Ndërsa ata që vinë pas tyre do të jenë në dritën e planetëve në qiell. Çdo njëri prej tyre do të ketë me vete dy gra që ju shihen damarët e këmbeve përtej mishit. Në xhenet nuk ka beqar ( të pamartuar). Nëse banorët e xhenetit janë prej grave të kësaj bote atëherë grat në këtë botë janë më shumë se burrat. E nëse janë prej hyrive atëherë nuk do të thotë se në këtë botë janë më shumë.
Gruaja që është e dashur për burrin e saj, ajo që lind shumë dhe ajo që është e dobishme për burrin e saj do të jenë në Xhenet
Myzhde për gratë e mira të këtij ummeti se i Dërguari i Allahut na ka lajmëruar se gruaja e cila është e dashur për burrin e saj, ajo që lindë shumë dhe ajo që nuk e hidhëron burrin e saj do të jenë ne Xhenet.
Nga K’ab b. Xhemre transmetohet se i Dërguari i Allahut ka thënë: “ A dëshironi tu tregoj për burrat që do të jenë banorë të Xhenetit? Pejgamberi në Xhenet, shehidi në Xhenet, i sinqerti në Xhenet, fëmija në Xhenet, njeriu i cili e viziton vllahun e tij për Allah në Xhenet. a doni të ju tregoj për gratë që do të jenë banore të Xhenetit? El vedudu2, el veludu3, el audu4 të cilës nëse i bëhet padrejtësi me gjithë atë thotë: kjo është dora ime në dorën tënde. Nuk flejë derisa ti të jesh i kënaqur me mua”.
Gruaja që respekton Zotin e saj, pastaj burrin e saj është në Xhenet.
Po kështu i Dërguari i Allahut na ka paralajmëruar se besimtarja e denjë e cila kryen obligimet të cilat ia ka obliguar Zoti i saj dhe pastaj respekton burrin e saj, jo në mëkate, ajo do të hyjë ne Xhenetin e Zotit të saj.
Ebu Hurejre transmeton se i Dërguari i Allahut ka thënë: “ nëse gruaja fal pesë kohët e namazit, agjëron muajin e Ramazanit, ruan nderin e saj dhe respekton burrin e saj i thuhet asaj: hyn në Xhenet prej cilës derë dëshiron”. Pra, nëse gruaja besimtare është e rregullt në namazin e saj, agjëron muajin e Ramazanit, përveç kohës së ciklit mujor, ruan nderin e saj nga mardhënjet jashtëmartesore dhe respekton burrin e saj do të hyjë në Xhenetin e Allahut prej cilës derë të xhenetit që ajo dëshiron. Po ashtu nëse përveç këtyre largohet edhe nga mëkatet e mëdha me pendim të sinqertë. Qëllimi i këtij hadithi është se ajo do të hyj në Xhenet me të parët, sepse ne e dimë se çdo mysliman do të hyj në Xhenet, edhe nëse ai fillimisht hyn në zjarr. Nëse pyet se pse është përkufizuar hadithi në përmendjen namazit dhe agjërimit dhe nuk ka cek kushtet tjera mbi të cilat është ndërtuar islami, atëherë mundë të përgjigjemi se ky përkufizim është bërë për shkak se shumica e grave janë të pakujdesshme në këto dy obligime, në faljen e namazit dhe në agjërimin e Ramazanit. Sepse shumica e grave nuk posedojnë pasuri që të japin zekatin. Po ashtu nuk i posedojnë kushtet për kryerjen e haxhit. Andaj kjo dispozitë në hadithe përfshin shumicën e grave dhe nxit në kryerjen e veprave të cilat janë po thuajse të pa ndashme nga jeta e tyre.
Gruaja në këtë botë mundë të jetë në këto gjendje:
Të vdes para se të martohet.
Të vdes pas shkurorëzimit, para se të martohet me një burrë tjetër.
Të jetë e martuar por burri i saj nuk hyn në Xhenet me të .
Të vdes pas martesës.
Të vdes burri i saj, ndërsa ajo të mbetet e pa martuar deri në vdekje.
Të vdes burri i saj ndërsa ajo të martohet me ndonjë burrë tjetër.
Këto janë gjendjet e gruas në këtë botë dhe secila gjendje ka specifikën e saj në Xhenet:
Sa i përket gruas e cila ka vdekur para se ajo të martohet, atë Allahu do ta martojë në Xhenet me njërin prej burrave të kësaj bote. Bazuar në fjalën e të Dërguarit të Allahut se “në Xhenet nuk mbetet askush beqar” ( Muslimi). Ka thënë Ibën Uthejmini: “ Nëse gruaja nuk është martuar në këtë botë, Allahu do ta martojë atë në Xhenet me burrin të cilin ajo e dëshiron prej banorëve të Xhenetit. Begatia në Xhenet nuk është e kufizuar vetëm në burra. Por, ajo është për burra dhe për gra. Ndërsa, prej begative të Xhenetit është edhe martesa”.
Po ashtu gjendjes së parë i takon edhe gruaja e cila ka vdekur e shkurorëzuar.
Po ashtu kësaj gjendje i përshtatet edhe gruaja e cila ka hyrë ne xhenet por burri i saj ka qen prej banorëve të zjarrit. Ibën Uthejmini thotë: “ Nëse gruaja është prej banorëve të Xhenetit dhe nuk ka qenë e martuar, apo ka qenë e martuar por burri i saj nuk ka qenë prej banorëve të Xhenetit atëherë ka edhe prej banorëve të Xhenetit të cilët nuk kanë qenë të martuar, atëherë gruaja martohet me atë që dëshiron prej atyre që nuk kanë qenë të martuar.
Ndërsa gruaja e cila ka vdekur e martuar, ajo në Xhenet do të jetë gruaja e burrit që ka vdekur nën kurorën e tij.
Ndërsa gruas së cilës i ka vdekur burri dhe ajo nuk është martuar më pas vdekjes së burrit të saj, kjo grua do të jetë gruaja e burrit të saj që i ka vdekur më herët.
Ndërsa gruas së cilës i ka vdekur burri i saj dhe ajo pastaj është martuar me një burrë tjetër, atëherë kjo do të jetë gruaja e burrit të fundit që ka qen e martuar me të, edhe nëse ka qenë e martuar disa herë. Bazuar nga fjala e të Dërguarit të Allahut: “ Gruaja është për burrin e fundit të saj”. Po ashtu bazuar në fjalën e Hudhejfes i cili i tha gruas së tij: “ nëse dëshiron të jesh gruaja ime në Xhenet mos u marto pas vdekjes sime”. Gruaja në Xhenet do të jetë për burrin e fundit të saj në këtë botë. Për këtë edhe Allahu ua ndaloi grave të Pejgamberit që të martohen pas vdekjes së Pejgamberit sepse ato do të jenë gratë e tij në Xhenet.
Dikush mund të pyes: Në lutjen që e bëjmë për kufomën e të vdekurit themi edhe këtë: Jepja një burrë më të mirë se ajo apo për burrin themi jepja një grua më të mirë se ajo. Si ka mundësi të lutemi ne për të që ti jap një burrë më të mirë se burri i kësaj bote kur ne e dimë se burri i saj në këtë botë do të jetë edhe burri i saj në Xhenet. Apo nëse ajo nuk ka qenë e martuar atëherë ku është burri i saj? Rreth kësaj problematike i është përgjigj Ibën Uthejmini, i cili thotë: “ Nëse nuk ka qenë e martuar, me fjalën “ më të mirë se burrin e saj” kemi për qëllim me burrin me të cilin kishte për tu martuar sikur që jetonte në këtë botë. Ndërsa nëse ka qenë e martuar atëherë me këtë fjalë kemi për qëllim që burri i sajë te ketë cilësi më të mira se ato që i ka pasur në këtë botë. Sepse ndërrimi mund të ndodhë me ndërrimin e qenjës sikur p. sh ndërrimi i deles me deve. Por mundë të ketë edhe ndërrim të cilësive sikur kur themi Allahu ndërroi kufrin e tij me iman. Sikur që thotë Allahu: Ditën, kur Toka do të ndërrohet me tokë tjetër, por edh qiejt, të gjithë do të dalin para të Vetmit dhe Ngadhënjyesit Allah ( Ibrahim 48). Pra toka është e njëjtë por ajo do të zgjerohet dhe do të shtrihet. Ndërsa qielli është i njëjtë por vetëm se do të qahet.
Një pyetje tjetër që shpesh herë përshkon mendjet e grave se në Xhenet për burra do të ketë hyri, e çka do të ketë për gra?
Ibën Uthejmini iu është përgjigjur kësaj pyetje me fjalën e tij: “Allahu thotë në Librin e Tij për begatit e xhenetit: Atje do të keni çfarë t’ju dëshirojë zemra dhe çfarë të kërkoni, dhuratë e pasur prej një Zoti Falës dhe Mëshirëplotë.” ( Fussilet 31-32). Po ashtu Allahu thotë: Aty do të ketë çfarë t’ju dojë shpirti dhe gjithçka që ta kënaq syrin dhe atje do të qëndroni përgjithmonë. ( Zuhruf 71). Është e ditur se martesa është prej gjërave që njeriu më së shumti i dëshiron dhe kjo do jetë e mundur në xhenet për banorët e Xhenetit qoftë burra apo gra. Gruan Allahu e marton në Xhenet me burrin me të cilin ka qenë e martuar në këtë botë. Sikur që thotë Allahu: O Zoti ynë, shpjerë ata në kopshtet e Adnit, të cilat ua ke premtuar, së bashku me të devotshmit prej prindërve të tyre, bashkëshorteve të tyre dhe pasardhësve të tyre! Ti je i Plotfuqishmi dhe i Urti ( Gafir 8).
Debat mes hyrive dhe besimtareve në Xhenet
Nga Ali b. Ebu Talib transmetohet se i Dërguari i Allahut ka thënë: “ Në Xhenet do të ketë grupe të hyrive të cilat ngritin zërat e tyre që nuk kanë dëgjuar zëra të ngjashme me ata zëra asnjëherë dhe thonë: Ne jemi të përjetshmet. Ne jemi të begatshmet që asnjëherë nuk dëshpërohemi. Ne jemi të kënaqurat që asnjëherë nuk hidhërohemi. Myzhde për atë që është për ne dhe ne jemi për të. Aishja (radija Allahu anha) thotë: “ Kur hyritë e Xhenetit e thonë këtë, besimtaret e kësaj bote iu përgjigjen: Ne jemi namazliket, e ju nuk jeni falur. Ne jemi agjërueset, e ju nuk keni agjëruar. Ne jemi të pastërta me abdes ndërsa ju nuk keni marr abdes. Ne jemi lëmoshe dhënëset, ndërsa ju nuk keni dhënë lëmosh. Thot
nëna e besimtarëve Aishja: besimtaret e kësaj bote dolën fitimtare në debat me hyritë e Xhenetit”.
Këshillë dhe kujdes
Në fund iu drejtohem motrave të nderuara me këto fjalë. Keni kujdes dhe keni kujdes nga parullat që dëshirojnë shkatërrimin e gruas, të cilët dëshirojnë të prishin moralin tuaj dhe të ju largojnë nga begatit e Xhenetit. Mos të ju mashtrojnë shprehjet e tyre, e as fjalët e tyre të zbukuruara të cilët thërrasin në “ emancipimin” e femrës. Mos të ju mashtrojnë as kanalet televizive dhe ata që i udhëheqin ato. Ata janë mu ashtu sikur ka thënë Allahu: Ata dëshirojnë që edhe ju të mos besoni, ashtu siç nuk besojnë vetë dhe të bëheni të njëjtë me ata. ( Nisa 89).
Kujdes motër e nderuar prej parullave të rrejshme dhe prej mendimeve të “ stolisura” me fjalë tërheqëse që paraqesin emancipim dhe përparim ndërsa brendësia e tyre është tradhti dhe mashtrim.
Gruaja e cila kërkon liri, ajo është e lirë. Por pastaj është e privuar nga e mira. Ajo mund të jetë e lirë në këtë botë por, do të jetë e privuar në ditën e gjykimit, ditën që çdo njeri pendohet për atë që ka bërë. Ajo pretendon se është e lirë ndërsa ajo është e prangosur me prangat e jobesimtarëve nga Evropa dhe bota e shfrenuar.
Kujdes motër e nderuar ndaj thirrësve dhe thirrëseve të emancipimit të femrës. Ata në të vërtetë janë thirrës në zhdukjen e nderit tënd dhe poshtërimit tënd. Ata janë thirrës për të kundërshtuar Allahun dhe të Dërguarin e Tij. Dëshirojnë shfrytëzimin tuaj dhe luftojnë për këtë derisa ta arrijnë të marrin nderin tënd nëse kanë mundësi.
Motër e nderuar pyete vetën tënde. Pse ata aq shumë kujdesën për vajzat e reja e nuk kujdesën për të moshuarat, apo për vajzat e mitura. A nuk bënë pjesë edhe ti në këtë lloj. A nuk do të vijë një ditë që edhe ti do të mplakesh. Kur të arrish këtë moshë do të jesh e pavlerë për ta, ata do të hedhin në mbeturinat e tyre.
Pyet vetën tënde. Kush është më i ditur për vetën tuaj dhe për të mirën tuaj? A është Krijuesi yt, apo këta kriminelë? A do të jetë respekti yt për Zotin tuaj dhe për Pejgamberin tuaj apo për këta njerëz të prishur?
Kujdes, kujdes prej këtyre njerëzve dhe madhëroje Zotin tuaj dhe Krijuesin tuaj. Bëhu pasuese e Pejgamberit tënd në çdo pjesë të jetës. Sepse i Dërguari i Allahut është më i kujdesshëm për ty se sa ti për vetën tuaj. Ai ka më shumë përparësi për besimtarët se sa ata për vetën e tyre.
Lus Allahun që grave të besimtarëve të ju jap rezultat në respektimin e Allahut dhe të Dërguarit të Tij dhe në fitimin e Xhenetit. O Zot ynë bëj besimtaret të udhëzuara dhe që udhëzojnë. Largoi nga ato shejtanët prej thirrësve dhe thirrëseve në prishjen dhe shkatërrimin e gruas.
O Zoti ynë. Ne kërkojmë prej Teje Xhenetin dhe ato fjalë dhe vepra që na afrojnë në Xhenet. Kërkojmë mbrojtjen Tuaj prej zjarrit dhe ato fjalë dhe vepra që na afrojnë në zjarr. Ti je Ai që dëgjon për së afërmi dhe i përgjigjesh lutjes.
Lutja jonë e fundit është: Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botërave.
Shkruar nga Ebu Enes Iraki- Maxhid Islam Benkani
Përktheu: Hoxhë Shaban Murati
1 Hadithi është i dobët. Sepse në zinxhirin e këtij hadithi është Sulejman b. Ebu Bekr e është njeri i dobët.
2 El vedud- ajo e cila bëhet e dashur për burrin e saj.
3 El velud- ajo e cila lind shumë dhe kjo tek beqaret mund të dihet në bazë të prejardhjes së saj.
4 El aud- ajo e cila i afrohet burrit të saj me gjëra të dobishme. Nëse burri nuk ka pas mundësi të ja mbush të gjitha kushtet, apo i ka bërë ndonjëherë padrejtësi, atëherë me butësi i thotë burrit të saj: kjo është dora ime për dorën tënde d. m. th un jam nën nënshtrimin tuaj. Nuk flejë derisa ti të jesh i kënaqur me mua. Kush prej grave i posedon këto cilësi ajo do të jetë prej banoreve të xhenetit. Por të pakta janë ato gra që i posedojnë këto cilësi